Romantizmi Shqiptar në Kontekstin e Romantizmit Evropian

old-books

 

 

 

 

Elsa Skënderi Rakipllari

 

“Romantizmi Shqiptar në Kontekstin e Romantizmit Evropian 

-Zhvendosja në kohë dhe në hapësirë e romantikëve shqiptarë- “

 

Hyrje

Romantizmi është një nga rrymat letrare që u zhvillua në Shqipëri, në kohën e Rilindjes Kombëtare dhe u shënjua fort nga një funksion etik që kishte bosht nacionalizmin. Romantikët ishin ‘të angazhuar’ për të ndikuar në pavarësimin e vendit dhe evokimit të ndërgjegjes kombëtare e historisë së lavdishme të shqiptarëve.

Ky angazhim nacional është primar në letërsinë romantike shqiptare dhe modifikon në një farë mënyre disa nga karakteristikat e përgjithshme të romantizmit të Evropës Perëndimore. Një ndër karakteristikat e romantikëve është arratisja nga realiteti mbytës, largimi në një vend tjetër të largët që përgjithësisht është vend Oriental, i paeksploruar dhe në një kohë tjetër të lavdishme ku mund të gjejnë madhështinë nacionale, apo lidhjen e natyrshme me religjionin.

Romantizmi shqiptar që u lëvrua në një kohë, kur poetit i takonte të bëhej misioner e politikan për pavarësinë e vendit, zhvendosjen në kohë dhe në hapësirë e realizoi në mënyrë të ndryshme nga romantizmi evropian, duke plotësuar kërkesat e programit të tyre politiko-artistik.

 

 

 

[…]Si element i ri duhet shënuar malli i largësisë. Largësia, qoftë largësi në pikëpamje të vendit, qoftë në pikëpamje të kohës, kjo largësi, e cila në të gjitha kohët ka ushtruar magjinë e saj mbi njeriun dhe e ka shtyrë këtë të gjurmojë vise të largëta si dhe epoka të largëta të historisë, është ajo që karakterizon më fort romantikët.                    Eqerem Çabej

 

Romantizmi është një lëvizje letrare gjithëpërfshirëse që ka kaluar në pothuajse të gjitha letërsitë e botës. Karakteristikat e kësaj lëvizjeje kanë pasur larmishmëri nga njëra letërsi në tjetrën. Kjo prej harkut kohor në të cilën është kryer kjo lëvizje si dhe prej specifikave shoqërore, kulturore, historike e politike që përvijonin tiparet e këtyre letërsive.

Romantizmi në Shqipëri, ndonëse erdhi më vonë se sa koha kur u zhvillua në vendet e Evropës Perëndimore, u qëndroi besnik në një masë të caktuar karakteristikave kryesore të romantikëve, e kulteve të tyre, ku spikasin ndjeshmëria e lartë, kulti i natyrës, imagjinarja në kundërvënie me logjiken e ‘ftohtë’,  individualizmi e veçimi i heroit romantik, përpjekja për t’u arratisur në një realitet tjetër më pak ‘meskin’, prirja drejt të mrekullishmes dhe të jashtëzakonshmes.

Një prej studimeve më të arrira mbi romantizmin shqiptar, ai i Eqerem Çabejt, “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, ku bën pjesë edhe romantizmi i letërsisë shqipe, ka tipare ‘dalluese’, krahasuar me romantizmin e Evropës Perëndimore.

Argumenti kryesor është ai i funksionit mbizotërues që ka letërsia shqiptare. Në kushtet e njohura ‘kulturhistorike’ funksioni mbizotërues i letërsisë nuk qe funksioni artistik, me të cilin lidhen një sërë karakteristika të romantikëve, por funksioni etik, nacional.

Nacionalizmi qe një tipar dallues edhe i romantizmit në Evropën Perëndimore, por për shkrimtarin shqiptar, asokohe kombi ishte në rrezik shpërbërjeje, ndaj komponentja nacionale fuqizohet më shumë se kurdoherë. Prandaj edhe romantizmi shqiptar, u nënshtrohet interesave historike kombëtare dhe bëhet veprues me synimet e veta. Në qoftë se romantizmi anglez, gjerman dhe francez është, të shpeshtën e herave, përmbushje përkatëse e imagjiantës së lirë, formën e së cilës e përcaktojnë kërkesat estetike, romantizmi shqiptar ideologji kombëtare, idealet e së cilës i përcakton pozita historike e kombit.[1]

Pakënaqësia e romantikëve ndaj realitetit ndërthuret me një mall të tyrin për largësinë, në kohë dhe në hapësirë. Në këtë largësi në histori ata mund të shuajnë mallin e të arratisen prej realitetit.“Ky mall përjetohet pra në largësi dhe në një largësi të dyfishtë: gjeografikisht priret nga Orienti, në pikëpamje të kohës nga Mesjeta.”[2]

Zhvendosja në kohë dhe hapësirë është po ashtu tipar i romantizmit shqiptar. Romantikët shqiptar, ashtu si ata perëndimorë, kanë ndjenjën e mallit, por ky mall është sërish i funksionalizuar etikisht. Ata kanë mall për atdheun, pasi ndryshe prej romantikëve perëndimorë që vetëshpalleshin të paatdhe, romantikët shqiptarë nuk kishin mundësi të jetonin (lirisht) në atdheun e tyre të pushtuar.

Për më tepër, kushtet e robërisë së atdheut, nuk ua lejonin romantikëve shqiptarë, të angazhuar, që të kishin ‘luksin’ të zhvendoseshin në vende të panjohura, në Orient e t’i eksploronin ato. Agjenda nacionale ishte primare për romantikët tanë, të cilët edhe prej formimit të tyre, ishin të ndërkallur jo vetëm në proceset krijuese letrare por edhe në ato intelektuale e politike.

 

 

Zhvendosja në kohë

Ikja e shkrimtarëve në të kaluarën historike, është karakteristikë e romantizmit evropian. Koha kur romantikët zhvendosen, për të kërkuar temat e tyre, ëshë përgjithësisht Mesjeta, por jo rrallë edhe Rilindja Evropiane, apo periudha më të hershme historike.

Romantikët shqiptarë po ashtu zhvendosen në kohë, përmes një analepse funksionale. Koha ku përgjithësisht zhvendosen romantikët tanë, është shekulli XV, shekulli i madh i Skënderbeut.

Përmes kësaj zhvendosjeje në kohë romantikët shqiptarë nuk kërkojnë strehimin imagjinar, arratisjen nga bashkëkohësia e tyre, apo blatimin në fe. Zhvendosja nuk ka parësor funksionin estetik. Romantikët i kthehen kohës kur jetonte heroi kombëtar i shqiptërëve. Imazhi i tij, në letërsinë shqipe por edhe në kulturat e tjera, risjell në vëmendje të shkuarën e ndritur të shqiptarëve. Forcën e tyre për të luftuar e mundur pushtuesin dhe për të pasur një formacion shtetëror.

Studiuesi Rexhep Qosja, në krahasimin që bën mes romantizmit evropian dhe atij shqiptar, shprehet se ikja e romantikëve shqiptarë bëhet për t’u aktivizuar shpirtërisht dhe për të nxitur përqasjen e lavdisë së shkuar të kohës së Skënderbeut, me robërinë aktuale. “Historia për ta, prandaj s’është përmbajtje ekzotike si për romantikët evropianë; historia për ta është etikë kombëtare.”[3]

Skënderbeu është gjallë,

rron e mbretëron përjetë,

kjo fjalë s’është përrallë,

ndaj t’urtit ësht’e vërtetë.[4]

Vepra që evokojnë kohën e Skënderbeut janë: “Istori e Skënderbeut” Naim Frashërit. Kjo vepër e Naimit është quajtur testamenti i tij politik.  Në pajtim me konceptet romantike, Naimi kërkoi në të kaluarën një “epokë të artë” të historisë kombëtare, e cila t’i kundërvihej gjendjes së Shqipërisë së robëruar e të prapambetur dhe të shërbente për bashkatdhetarët, jo vetëm për të zgjuar ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare, por edhe si ideal pozitiv për të tashmen e të ardhmen.[5]

Letërsia romantike e arbëreshëve të Italisë e e shihte prirjen për t’iu drejtuar së shkuarës historike si një simbol që i lidhte me atdheun e të parëve. Figura përbashkuese me atdheun ishte figura heroike e Skënderbeut dhe koha në të cilën ai jetoi, ‘Moti i Madh i Skënderbeut’.

Jeronim De Rada, e ka evokuar vazhdimisht figurën e Skënderbeut në veprat e tij si:

Serafina Topia, Një pasqyrë e jetës njerëzore”. Në këtë vepër figura e Skënderbeut mbështet idenë e bashkimit të shqiptarëve. Ngjarjet zhvillohen në Motin e Madh.

Skënderbeu i Pafan”, është vepra në të cilën ngjarjet zhvillohen po ashtu në shekullin XV, dhe paraqet tablo të ndryshme të vendeve shqiptare. Me këtë vepër De Rada synonte të krijonte epopenë e kohës së Skënderbeut.

Këngët e Milosaos”, është vepra tjetër e De Radës e cila ndonëse nuk ka një kronos të mirëpërcaktuar, paraqet ngjarjet e kohës së Familjeve të Mëdha Bujare në Shkodër.

Garvil Dara i Riu, është autori i veprës së njohur “Kënga e Sprasme e Balës”. Ngjarjet zhvillohen në motin e Skënderbeut dhe figura e tij është e pranishme në të gjithë veprën.

Zef Serembe për të evokuar lavdinë historike të shqiptarëve, u këndon figurave të së kaluarës që nga mbretërit ilirë, Bardhyli e Teuta, e deri tek Ali pashë Tepelena. Figura e Skënderbeut u evokua për të pohuar idenë e vazhdimësisë së traditave heroike te shqiptarët.[6]

 

 

Zhvendosja në hapësirë

Shumica e romantikëve shqiptarë vuajnë nga ndjenja e mallit. Kjo është një ndjenjë nostalgjie për atdheun dhe jo mall sentimental.

Zogjtë e bukur  këndojnë me hare

Po zemra do më plas mua ne gji

Por i mërguar qajë jetën në këtë dhe

Mërzitem në katund ,mërzitem në vetmi..

Tere shkelqimi ,më hapet para vedit

Që më zgjon trut’ e mia në mendime shumë

Ah! ç’ mu doq zemra mua të shkretit

Aq sa pushojë vetëm, kur bie në gjumë

Arbëria matan detit ,ne na kujton

Se ne te huaj jemi në këtë dhe

Eh! sa vjet shkuan , e zemra nuk harron

Që nga Turku mbetëm pa mëmëdhe

Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon

Seç po frynë erë e akullt me za

Seç ka qenë arbereshi sot po harron

E si vjen turp aspak te rri e te fle.[7]

 

Vargjet e poezisë së Serembes e ilustrojnë më së miri, mallin e romantikëve arbëreshë, të cilët lindën e jetuna larg dheut të të parëve. Por fort ndryshe prej tyre nuk qenë as romantikët e tjetër shqiptarë, të cilët për arsye kryesisht të pushtimit janë të detyruar të qëndrojnë larg atdheut të tyre.

Naim Frashëri u këndon parreshtur bukurive të “vëndëthit të bekuar”, për të cilin ka mall.

 

Jam larg jush i dëshëruar edhe s’e duroj dot mallë,

po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

* * *

 

tek këndon thëllëza me gaz edhe zogu me dëshirë,

e qyqeja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë;

tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,

bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them.[8]

Ndre Mjeda që ka jetuar gjatë viteve të gjata të studimit larg atdheut, në vende si Spanja, Italia, Polonia e Kroacia, i këndon me dhimbje largimit nga Shkodra e tij:

Lamtumirë, o mori Shkodër,

Lamtumirë, o ti Cukal!

Zhduket Buena nën nji kodër,

zhduket Drini nën nji mal..[9]

“Malli për atdhe” është një tjetër poezi nostalgjike e Mjedës, ndërsa shenja të këtij tipari romantik gjehen edhe në një sërë poezish të tjera të lirikut shkodran.

Fati është i ngjashëm edhe për shumë të tjerë që ëndërrojnë të kthehen në atdhe ndaj edhe toposi i krijimtarisë së tyre është mëmëdheu. Kështu bie fjala, Thimi Mitko jeton dhe vdes në Egjipt; Jani Vreto vdes në Greqi, Pashko Vasa me Filip Shirokën në Bejrut; Naim Frashëri, me të vëllain, Samiun në Turqi. [...], kurse Luigj Gurakuqit në Francë, në Itali, në Turqi dhe në Mal të Zi, e kështu me rradhë.[10]

 

Siç e pamë nga shembujt e mësipërm, zhvendosja në hapësirë është karakteristikë romantike por e përvijuar me tipare specifike nga romantikët shqiptarë. Arsyet e zhvendosjes në hapësirë janë krejt të ndryshme nga ato të romantikëve evropianë dhe toposi është i mirëpërcaktuar dhe me funksion etik. Atdheu është vendi ku me ëndërrime, shpresa e dëshira romantike mblidhen të gjithë romantikët shqipëtarë.

Po kështu edhe zhvendosja në kohë ka një kronos të mirëpërcaktuar, ajo evokon lavdinë e shkuar historike të shqiptarëve, në mos kohën e princërve ilirë, Motin e Madh të Skënderbeut.

Këto dy karakteristika të romantizmit shqiptar e bëjnë atë të dallueshëm nga romantizmi evropian dhe në letërsi kanë përdorim me karakter të mirfilltë etik. Funksioni nacional është rrjedhimisht mbizotërues, ndonëse nacionalizmi është gjurmë edhe e letërsive të tjera . Sipas Philip Silver-it, “Romantizmi letrar është një ideologji politiko-letrare nacionaliste, përgjatë shekullit XIX”. [11]Në gjykimin tonë, i tillë është edhe romantizmi shqiptar.

 

 

Bibliografia

  •   Rexhep Qosja, “Historia e Letërsisë Shqipe; Romantizmi shqiptar dhe romantizmi Evropian” Botimet Toena, Tiranë, 2000
  •   Eqerem Çabej “Shqiptarët mes Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, 1994
  • Akademia e Shekncave RPS Të Shqipërisë, “Historia e Letërsisë Shqiptare”, Tiranë 1983
  •   Michael Ferber “A Companion to European Romanticism”, Blackwell Publishing Ltd, 2005
  • Nexhip Gami “Histori e Letërsisë së Huaj, Shek. XIX”, SHBLU, 2007

 


[1] Rexhep Qosja, “Historia e Letërsisë Shqipe; Romantizmi shqiptar dhe romantizmi Evropian”, fq 394

[2] Eqerem Çabej “Shqiptarët mes Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, fq 73

[3]  Rexhep Qosja, “Historia e Letërsisë Shqipe; Romantizmi shqiptar dhe romantizmi Evropian”, fq 404

 

[4] “Istori e Skënderbeut” Naim Frashëri

[5] Akademia e Shekncave RPS Të Shqipërisë, “Historia e Letërsisë Shqiptare”, Tiranë 1983, faqe 213

[6]Po aty, fqe 313

[7] Zef Serembe,“Vrull”

[8] Naim Frashëri, “Bagëti e Bujqësia”

[9]  Ndre Mjeda “I tretuni ”

[10] Rexhep Qosja, “Historia e Letërsisë Shqipe; Romantizmi shqiptar dhe romantizmi Evropian”,  fq 399

[11] Michael Ferber“A Companion to European Romanticism”, Blackwell Publishing Ltd, 2005, fq 291


Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *